Mother Teresa Insert in Albanian Yellow Pages

Page 1

Shenjtëresha

Nëna Tereze Nëna Tereze do të shpallet e Shenjtë nga Papa Françesku me 4 Shtator 2016 në St. Peter’s Square në Romë

Me gjak jam shqiptare. Me nënshtetësi, indiane. Përsa i përket besimit, jam murgeshë katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit

RRUGA E SHENJTËRIMIT TË NËNËS TEREZE

Botimin e këtij inserti e bënë të mundur: Elmi Berisha, Sabit Bitici, Niman Blakaj, Arben Krasniqi, Bruno Selimaj, Hysen Ulaj


Shenjëtëresha Nëna Tereze Gonxhe Bojaxhiu lindi në Shkup me 27 Gusht 1910. Prindërit e saj Kolë Bojaxhiu dhe Drane Bernaj nga Prizreni ishin me prejardhje nga Novosella e Gjakovës. Ajo u pagëzua me emrin Gonxhe Anjeze. Kungimin e parë e mori pesë vjeçe e gjysëm dhe u krezmua në Nëntor 1916.

Kisha katolike “Zemra e Krishtit” në Shkup, aty ku Nëna Tereze një ditë pas lindjes u pagëzua nga famulltari i atëhershëm dom Zef Ramaj.


Kolë Bojaxhiu

KOLË BOJAXHIU

Babai i Nënës Tereze

Nëna Dranja në mes me fëmijët Gonxhe dhe Age Bojaxhiu Fotografi në oborrin e shtëpisë ku lindi Gonxhe Bojaxhiu, në rrugën Vlashka në Shkup, 27 Gusht, 1910

Kolë Bojaxhiu, lindi në Prizren në vitin 1874. Në vitin 1900 u shpërngul në Shkup ku fillimisht punoi si farmacist dhe më vonë u bë partner në një ndërmarrje ndërtimi. Ai ishte një veprimtar dhe patriot që vazhdimisht angazhohej për çlirimin e Shqipërisë nga Turqia dhe bashkimin kombëtar. Nё shtёpinё e tij gjetёn mbёshtetje patriotët dhe intelektualët e kohës si Hasan Prishtina, Lazёr Mjeda, Mati Logoreci, Bajram Curri, etj. Ai u martua me Drane Barnaj në vitin 1905. Nga martesa u lindën 5 fëmijë, 2 prej tyre vdiqën fare të vegjël kurse 3 fëmijët e tjerë ishin Lazër Bojaxhiu, Gonxhe Bojaxhiu (Nëna Tereze), dhe Age Bojaxhiu. Kolë Bojaxhiu dallohej për veprimtari kulturore, shoqërore, tregtare dhe politike. Ai ishte ndërtuesi i Teatrit të Shkupit, një ndër ndërtuesit dhe financuesit e hekurudhës që lidhte Shkupin me Kosovën, themeluesi dhe financuesi i orkestrës frymore “Zani i Maleve”. Kjo orkester marshoi në rrugët e Shkupit me rastin e çlirimit nga perandoria turke duke kënduar, duke vallëzuar. Ai ishte i vetmi këshilltar komunal shqiptar katolik i Shkupit. Kole Bajaxhiu vdiq me 2 gusht 1919 në Shkup, në rrethana të panjohura vetem disa orë pasi ai u kthye nga një takimi politik në Beograd, dyshohet që është helmuar nga agjentët shovinistë serbë. Varri i tij gjendet në varrezat në Butel në Shkup.

— 123


Drane Bojaxhiu

DRANE BOJAXHIU Nëna e Nënës Tereze

Drane Bojaxhiu lindi më 1889 në fshatin Novo Sellë, komuna e Gjakovës. Mbiemri i vajzërisë ishte Bernaj. Ajo ishte vetëm 16vjeçe kur u martua me Kol Bojaxhiun. Pas vdekjes së hershme të burrit të saj Kolës, më 1919, ajo u detyrua të punojë si rrobaqepse për të mbajtur familjen. Dranja, ishte një grua besimtare dhe burrneshë që i rriti fëmijët plot dashuri, duke ndikuar shumë në karakterin dhe rrugën e jetës që do të zgjidhte e bija. Në vitin 1924 djali Lazri shkoi për studime në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake dhe shkuarja e Gonxhes në Misionin e Motrave të Loretos më 1928, ajo mbeti vetëm me vajzën Agen. Jeta e tyre në Shkup nën Mbretërinë serbo-kroatesllovene u vështirësua, kështu që ajo së bashku me të bijën Agën u detyruan të shpërngulen në Tiranë në vitin 1934. Drane Bojaxhiu vdiq në Tiranë më 1971. Nëna Tereze mundi ta vizitonte varrin e saj vetëm në vitin 1990 gjatë vizitës së saj të parë në Shqipëri.

Gonxhe Bojaxhiu me me shokët e klasës IV të shkollës fillore

Gonxhja ishte shumë aktive në të gjitha aktivitetet e famullisë. Ajo këndonte në kor, recitonte në teatrin e qytetit, luante në shfaqje të ndryshme të famullisë, shkruante vjersha dhe i binte mandolinës. Që në moshë te re ajo kishte dëshirë të lexonte dhe të shkruante poezi. Ndikim të madh në edukimin e hershëm kishte Arqipeshkvi i Shkupit Imzot Lazër Mjeda i cili gjithnjë i dhuronte libra me vjersha të vëllaut të tij, shkrimtarit Dom Ndre Mjeda.

124 —


Shenjtorja e Zojës në Letnicë, Kosovë, aty ku Nëna Tereze kaloi shumë kohë në fëmijëri dhe ku në gusht të 1928, vendosi t’i përkushtohej tërësisht Zotit dhe të bëhej misionare.

Fjalët e Nënes Tereze

Isha ende shumë e re, pa i mbushur 12 vjet, e rrethuar nga familja, kur ndjeva dëshirën e parë për t’iu dhënë tërësisht Zotit. Gjashtë vjet kam medituar dhe jam lutur… Në fillim nuk më pëlqente fare ky mendim, “tundim”. Disa herë kam menduar se isha liruar nga kjo dëshirë… Ndonjëherë më dukej se po bëja gabim, se kjo nuk ishte thirrje, por më në fund u binda se isha e ftuar nga Zoti. Zonja e Letnicës, Zonja Cërnagore, më ndihmoi shumë për ta arritur një vendim të tillë. — 125


Gonxhe Bojaxhiu në moshën 18 vjeçare, para nisjes në Mision.

126 —


26 Shtator 1928

Gonxhe Bojaxhiu-Nëna Tereze me vëllain Lazrin dhe motrën Age Bojaxhiu. Fotografi e bërë më 1924, para nisjes së Lazrit në Akademinë Ushtarake, në Grac të Austrisë

Gonxhe Bojaxhiu, me motrën Age dhe nënë Dranen, foto para nisjes për në Zagreb

Më 26 Shtator 1928, nëna Dranja me të bijën Agen u nisën së bashku për ta përcjellë Gonxhen deri në Zagreb, ku do të vazhdonte rrugën për në Dublin.

Në stacionin e trenit në Shkup ishin mbledhur shumë njerëz të njohur e të panjohur, miq dhe familjarë të familjes Bojaxhiu, për ta përcjellë dhe për t’i dhënë lamtumirën, Gonxhes dhe për t’i dëshiruar asaj sukses në misionin e saj. Në Zagreb qëndruan në një familje katolike shqiptare që ishte mike e familjes Bojaxhiu, deri më 13 Tetor, atëherë kur u ndanë nënë e bijë dhe motër, për t’u mos u takuar më kurrë. Në stacionin e trenit në Zagreb Dranja ishte ndarë me të bijën me këto fjalë: Shko, Ganxhe Gjyli, më e dashura ime, dhe Zoti që të ka thirrë, qoftë gjithmonë me ty. Na kujto gjithmonë në lutjet tua dhe ne gjthmonë do të kujtojmë ty.

— 127


13 Tetor 1928

Betike Kanjc dhe Gonxhe Bojaxhiu para nisjes për në Indi, Dublin Nëntor 1928. Më 13 Tetor së bashku me zonjushën Betike Kanjc, nga Sllovenia e cila gjithashtu nisej në mision në Indi, u nisën për në Dublin nga Stacioni hekurudhor i Zagrebit.. Udhëtimin e bënë me tren nëpër Austri, Zvicër deri në Francë. Në Paris qëndruan disa ditë në shtëpinë e Motrave të Loretos dhe pastaj vazhduan me anije nëpër kanalin La Manche, Londër dhe Dublin. Në Dublin qëndruan 6 javë në një kurs intensiv për të mësuar gjuhën angleze dhe për t’u përgaditur për murgesha.

28 Nëntor 1928 Në anije ajo shkroi një ndër poezitë më të mira titulluar “Lamtumirë”. Nga 4 strofat e para të poezisë u kompozua Himni i Nënës Tereze, që u promovua më 4 Shtator, 2015 në Prishtinë. LAMTUMIRË

Po lë shtëpinë zemërfanar Vendlindje e farefis Po vete n’Bengalin dergje-vrarë Atje, në të largtin vis.

Lë të njohurit në mejtime Të afërmit e vatrën shqim, Më tërheq zemra ime T’i shërbej Krishtit tim. 128 —

Në fund të nëntorit, 1928 Gonxhja dhe Betike ishin gati të niseshin për në Indi. Nga Dublini rrugën e bënë me tren deri në Romë, prej nga morën anijen “Marcha” për Bombai (tani Mumbai) në Indi. Gjatë rrugës takuan disa misionare të tjera në anije dhe së bashku e festuan edhe Krishtlindjen, dhe vitin e ri 1929. Udhëtimi me anije ishte një udhëtim i mundimshëm sidomos për Gonxhen. Gjatë kohës kur lundrimi ishte i qetë, Gonxhja lexonte dhe shkruante poezi. Në fillim të janarit arritën në portin e qytetit Madras, për të vazhduar lundrimin për në Kalkutë ku arritën më 6 Janar të vitit 1929. Nënë e dashur, lamtumirë Ju le shënde’n miq të mi Më djeg, o, një fuqi e dlirë Drejt të përflakurës Indi…

Dhe anija lehtë lehtë lundron Pret valët e detit të trazuar, Për herë të fundit syri vrojton Brigjet e Evropës së hakërruar.


Pas 10 ditëve niset për në Darjeeling për të vazhduar mësimet që të bëhej murgeshë. Për dy vjet në bashkësinë e Loretos në Darjeeling Gonxhja mësoi Anglisht, Bengali dhe Hindu dhe jepte mësim fëmijëve në shkollë. Derisa gjuha Hindu ishte gjuhë zyrtare në Indi, Bengali flitej në Kalkutë.

24 Maj 1931 Më 23 maj 1929, filloi shkollën për Murgeshë, dhe më më 24 maj 1931 u bë murgeshë dhe mori emrin Motër Maria Tereza.

Fotoja e parë që Gonxhe Bojaxhiu (majtas) e dërgoi nga India (Darjeeling, 22 Nëntor,1929)

1931-1937 - Motra Tereze, pasi një kohë shërbeu si infermiere, së shpejti u emërua mësuese e gjeografisë në St. Mary High School në Kalkutë.

Fjalët e Nënes Tereze

E kam fituar edhe një fushë të punës: shkollën e Shën Terezës. Kjo shkollë është mu në Kalkutë. Mu të njëjtën ditë, kur ma besuan këtë detyrë, shkova ta shoh. Është shumë larg, por udhëtoj me qerre indiane. Kur më shikuan ata të vegjël për herë të parë, pyetnin njëri-tjetrin se a jam hyjneshë apo shpirt i keq. Për ta nuk ka mes. Kush është me ta i mirë, atë e nderojnë si hyjnitë e veta, ndërsa kush është i mrrolshëm, i frikësohen porsi shpirtit të keq, dhe vetëm e adhurojnë. Kur erdha këtu kishte vetëm 52 fëmijë, ndërsa sot janë rreth 300.

— 129


Për 15 vjet rresht rutina ditore e Motrës Tereze ishte pothuajse e njejtë. Zgjohej në mëngjes para meshës së orës 6:00 të mëngjesit, ngrënja e mëngjesit dhe mësimi në shkollë. Pas shkollës ishte puna administrative në zyrën e saj, çaji i pasditës e pastaj darka, lutja e mbrëmjes dhe gjumi. Me 7 shkurt 1946 i shkruan Kongregatës së Rregulltarëve dhe kërkon lejen që të lë kuvendin e Loretos dhe t'u kushtohet tërësisht të varfërve ndër të varfërit.

10 Shtator 1946

Motër Teresa profesoreshë, në veshjen rregulltare të motrave të Loretos

Fjalët e Nënes Tereze

Isha duke udhëtuar me tren për Darjeeling prej Kalkutës. Atje shkoja për ushtrime shpirtërore. Derisa isha në lutje intime dhe isha në gjendje prehjeje, fitova qartas një thirrje brenda thirrjes. Porosia ishte tejet e qartë: duhet të lë kuvendin dhe t'u kushtohem të varfërve, duke jetuar në mesin e tyre. Ishte një dërgim. E kuptova porosinë, por nuk e dija si do ta njëmendësoja.

130 —

Treni i pasagjerëve me të cilin udhëtonte Nëna Tereze në Darjeeling më 1946


10 shtatorin Nëna Tereze do ta quaj "Ditë inspirimi". Tashmë e rryer në jetën fetare dhe e regjur me vështirësitë e popullsisë së vendit, si edhe duke sjellë nëpër mend Jezusin, të cilit ia kishte kushtuar fëmijërinë dhe rininë, vendosi të lëshojë motrat e Loretos dhe t'u kushtohet krejtësisht më të varfërve ndër të varfër, duke u njëjtësuar me ta në veshje, në banim, në ushqim.

Kuvendi i Loretos në 1 Convent Road, Entally, ku punoi dhe jjetoi Nëna Tereze nga 1931 deri 1948.

Më 7 gusht 1948, mori lejen nga Papa Piu XII që të lëshojë Loreton dhe të ndjekë zërin e ndërgjegjes ku i fliste Zoti.

7 Gusht 1948 Më 16 gusht 1948, doli nga Kuvendi i Loretos, ku kishte qëndruar mbi 20 vjet profesoreshë, e më vonë edhe drejtoreshë e St. Mary High School dhe pa hamendje la kuvendin, mirëqenien, kënaqësinë, miqësinë e madhe të bashkëmotrave dhe doli në rrugë, duke mos ditur se ku po shkon, vetem duke pasur të qartë se duhet ta kryente vullnetin e Zotit. Ajo trokiti në derën e Motrave të Vogla-një organizatë katolike që ndihmonte të vjetrit për t’u strehuar. Fillimisht aty u strehua dhe grumbulloi disa fëmijë t’ua mësonte alfabetin bengali dhe pas disa diteve u grumbulluan dhjetra fëmijë, kështu që nga fundi i muajit çdo ditë në shkollën e Motër Terezes vinin mbi 20 fëmijë.

— 131


Më 18 gusht 1948 hoqi veshjen rregulltare të motrave të Loretos dhe veshi sari të bardhë të përshkuar me vijë të kaltër dhe me kryq në parzëm.

Flamuri zyrtar i Indisë nga 1931 deri në shpalljen e pavarësisë së Indisë më 23 Qershor 1947.

21 Dhjetor 1948 Në shtëpinë e Motrave të Vogla ajo vazhdonte mësimin e fëmijëve të varfër. Pas një muaji dikush i dhuroi një karrike, dikush shkumsa për të shkruar, dikush një tavolinë dhe fillimisht ajo themeloi shkollën e saj, lokali i së cilës ishte një kasolle.

Vendimi i Nënës Tereze për ta zgjedhur sarin si veshje të misionit të saj ishte shumë praktik. Ishte e lehtë për t’u veshur, e ngrohtë gjatë dimrit dhe e freskët në verë, si dhe për respektin që sari simbolizon në Indi. Për shumë gra indiane sari simbolizon pavarësinë ekonomike të Indisë, një lëvizje e filluar në vitet ‘20-ta, nga Mahatma Gandi për të bojkotuar produktet angleze. Një lëvizje ku Gandi për të bojkotuar prodhimet angleze, apeloi tek gratë indiane që ato të tirrnin pambukun për veshjet e tyre. Kjo lëvizje u bë shumë e fuqishme, dhe më vonë (më 1931) simboli i tjerrjes së pambukut në rrota lëvizëse u bë edhe simbol në flamurin indian.

Përveç shkollës ajo kujdesej edhe për të sëmurët në rrugë, pa ndihmë të askujt. Për t’u dalë në ndihmë të sëmurëve ajo ndoqi një kurs për infermieri pranë Motrave Mjeke Misionare në Patna. Nëna Tereze u kthye rishtas në Kalkutë ku gjeti një strehë të përkohshme pranë Motrave të Vogla të të Varfërve. Më 21 dhjetor shkeli për herë të parë në lagjet e të varfërve: vizitoi familje, u lau plagët disa fëmijëve, u kujdes për një plak që dergjej në rrugë dhe për një grua që po vdiste nga uria e nga tuberkulozi. E niste ditën për t'u shërbyer atyre që ishin: "të braktisur, të padashur e të papërkujdesur".

132 —


Dy vllezër, Alfred dhe Michael Gomes duke admiruar punën dhe përkushtimin e Nënës Tereze, i dhanë falas një dhomë të vogël në shtëpinë e tyre. Një ditë në mars të 1949 i erdhi për vizitë një vajzë e re bengaliane me emrin Subashini Das, e cila shprehu dëshirën për të ndjekur misionin e saj. Pas asaj në misionin e saj erdhën edhe vajza të tjera, të cilave Nëna Tereze u kishte dhënë mësim.

21 Mars 1949

Fjalët e Nënes Tereze

Tani jemi pesë motra. Lutuni që bashkësia e vogël të rritet në shenjtëri dhe në numër, nëse është vullneti i Zotit.

Më 1952 Nëna Tereze hapi shtëpinë e parë pranë tempullit të hyjneshës Kali në Kalkutë. Përurimi i saj u bë më 22 gusht, në festën e Zemrës së Papërlyer të Marisë. Këtë shtëpi e pagëzoi si Nirmal Hriday (Shtëpia e zemrës së pastër). Me këtë emër do t'i quajë edhe shumë shtëpi tjera në mbarë Indinë dhe më gjerë.

7 Tetor 1950

Sipas porosisë së Ipeshkvit të Kalkutës, Ferdinand Perier, Selia e Shenjtë e miraton Kongregatën e Misionareve të Dashurisë si kongregatë ipeshkvore.

Fjalët e Nënes Tereze

Zoti ishte i mahnitshëm ndaj nesh, sepse siç rritej puna, ashtu rriteshin edhe thirrjet. Ati i Shenjtë bashkësinë tonë të vogël e bëri kongregatë ipeshkvore. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë na bëri kongregatë të së drejtës papnore. Kjo do të thotë se ne jemi drejtpërdrejt të nënshtruara Atit të Shenjtë. — 133


Më 1953 për shkak të rritjes së numrit të motrave, mori shtëpinë e një avokati mysliman në rrugën Lower Circular Road 54. Kjo shtëpi u bë qendra e Kongregatës dhe jo larg saj themeloi qendrën për fëmijë të braktisur që e quajti Nirmala Shishu Bhavan (Vatra e fëmijëve të braktisur).

Dhoma e Nënës Tereze ku ajo jetoi dhe punoi që nga viti 1953 deri në vdekjen e saj më 5 shtator, 1997.

Shtëpia e Misionareve të Dashurisë në 54A, A.J.C. Bose Road, Calcutta, ku është edhe qendra e Kongregatës Ndërkombëtare e Misionareve të Dashurisë. Në këtë shtëpi jetoi Nëna Tereze me motrat e saj që nga shkurti i vitit 1953 deri në vdekje. Në katin e parë të kësaj shtëpie është varri i saj.

134 —


Në rrugët e Kalkutës Nëna Tereze dhe murgeshat e saj shpesh gjenin foshnja në në plehëra, fëmijë të braktisur, njerëz të sëmurë nëpër trotuare, të moshuar buzë vdekjes, njerëz me të meta, të verbër, shurdhmemec, të sëmurë mendorë etj... të cilët i strehonin në qendrën për fëmijët e Braktisur. Punën e Nënës Tereze dhe murgeshave të saj e bënte edhe më të vështirë sëmundja e leprozës. Leproza shkaktohej nga një infekcion i cili krijohej nga kushtet e këqija të jetesës dhe të keq ushqyerit. Të sëmurit humbnin gishtat e dorës, të këmbës dhe pjesë të fytyrës si dhe dëmtimin e nervave dhe muskujve. Në fillim Nëna Tereze bleu disa autoambulanca me të cilat shkonin nëpër lagje të varfëra të qyteteve, për t’u dhënë barëra të sëmurëve, për t’ua larë e lidhur plagët, mirëpo kjo ishte fare e pamjaftueshme duke qenë se numri i të sëmurëve me leprozë ishte shumë i madh, prandaj Nëna Tereze së bashku me motrat e saj vendosi për të ndërtuar një fshat për të sëmurët me leprozë në periferi të qyetit Asansol. Shanti Nagar që do të thotë “Qyteti i Paqës” filloi së ndërtuari më 1964 në qytetin Asansol afro 212 km në veripërendim të Kalkutës. Tokën për ndërtimin e projektit e dhuroi qeveria Indiane më 1963. Bekimi i gurthemelit u bë nga Atë Henri më 1968, atëherë kur filluan të vendosën edhe të sëmurët e parë në qytet.

Shanti Nagar

Popullariteti i Misionareve të Dashurisë u rrit me të madhe anekënd Indisë, por jo edhe jashtë saj. Kjo nuk e pengonte fare Nënën Tereze. Ajo nuk kishte nevojë për publicitet e as nuk kërkonte para nga askush. Paratë dhe ndihmat ishin gjithmonë të domosdoshme në punën e saj, por ajo kishte besimin në Zot, dhe se Ai do t’i ndihmonte sa herë që ajo gjendej në vështirësi.

Kur nuk kishte ujë të pishëm në Motijhil, Nëna Tereze shkonte direkt për ndihmë tek një person shumë i rëndësishëm në qeverinë e Bengalit. Ai ishte Dr. Bidhan Chandra Roy. Ai më vonë i ndihmoi Nënës Tereze jo vetëm me ujë të pishëm por edhe me ndihma të tjera të domosdoshme për të sëmurët e saj. Dr. Bidhan Chandra Roy — 135


Në tetor të vitit 1960, Nëna Tereze për herë të parë doli jashtë Indisë që nga viti 1929, kur kishte shkuar në Indi. Së pari udhëtoi në Amerikë, pastaj në Romë, ku edhe u takua me vëllaun e vet Lazrin, të cilin nuk e kishte parë që nga mosha tetëmbëdhjetëvjeçare, kur u nis në mision.

Foto nga takimi i parë i Nënës Tereze me vëllaun e saj Lazrin, (i pari nga e majta) në Romë 1960

136 —


4 Dhjetor 1964 Kur Papa Pali VI vizitoi Indinë në dhjetor të vitit 1964, u habit nga puna dhe përkujdesja që Nëna Tereze bënte me të gjithë ata në nevojë. Në shenjë mirënjohje për punën e saj, ai ia dhuroi Nënës Tereze makinën Lincoln Convertibile me të cilën kishte udhëtuar deri te Misionaret e Dashurisë në Kalkutë. Më vonë, Nëna Tereze e shiti makinën në ankand dhe bëri para të mjaftueshme për të filluar projektin Shanti Nagar, “Qyteti i Paqës”.

— 137


Më 31 gusht 1962 qeveria Filipine ia dhuroi shpërblimin Ramon Magsaysay, me këtë rast, Nëna Tereze u shpall “Gruaja më e merituar e Azisë”.

Më 25 mars 1963 Nëna Tereze themeloi "Vëllezërit Misionarë të Dashurisë", të cilët do t'i udhëheqë jezuiti australian, Travers-Ball, i cili e ndërron emrin e vet në: vëlla Andreu - misionar i Kalkutës.

Fama e Nënës Tereze kishte filluar të rritej me të madhe. Së shpejti filluan t'i jepen edhe shpërblime. Shpërblimi i parë që mori Nëna Tereze ishte medalja e qeverisë Indiane “Padna Shri” në vitin 1962 . Këtë shpërblim Nënës Tereze ia dorëzoi Pandit Nehru kryeministër i Indisë.

Më 1 shkurt 1965, Misionaret e Dashurisë, dekretohen me të ashtuquajturin decretum laudis, nga Papa Pali VI dekret ky që ia hap rrugën Misionareve të Dashurisë të fillojnë veprimtarinë e bamirësisë edhe jashtë Indisë. Nëna Tereze Misionin e parë jashtë Indisë e hapi në Kokorotë të Venezuelës. Pas Venezuelës ajo hapi qendrat e veta nëpër të gjitha kontinentet: Afrikë (Tanzani), Australi (Melbourne), në Evropë (Angli dhe Itali), Amerikë (New York). Më 26 mars 1969, Papa Pali VI miraton Shoqatën e Bashkëpunëtorëve të Nënës Tereze si pjesëtare të Misionareve të Dashurisë me statut të veçantë. Në Shtator 1971, mori shpërblimin Samaritani i Mirë në New York, kurse më 16 tetor 1971, mori shpërblimin Kennedy me këtë arsyetim: "Në gjeografinë e vet të veçantë, Nëna Tereze di ku duhet të ndihmojë dhe me fenë e vet të veçantë nuk dyshon kurrë se s'do t'i gjejë mjetet e nevojshme për këtë".

Më 6 janar 1971, mori shpërblimin ndërkombëtar për paqe Gjoni XXIII, të cilin ia dorëzoi Papa Pali VI. Ky ishte shpërblimi që themeloi Papa Gjoni XXIII më 10 maj 1963, ndërsa për herë të parë iu nda Nënës Tereze.

138 —

Më 29 tetor 1971, nga Universiteti Katolik Amerikan mori doktoratën e nderit në shkencat shoqërore. Me këtë doktoratë nderi iu pranua puna e saj e madhe rreth kapërcimit të krizave sociale.

Më 1972 hapi qendra të reja në Bangladeshin e shkatërruar.


12 Korrik 1972 Në vitin 1972 Nëna Tereze merr një letër nga Shqipëria, nga motra e saj Age, përmes së cilës e njofton se nëna Drane ishte shumë e sëmurë. Nëna Tereze kërkoi nga autoritetet shqiptare t’ua mundësonin largimin e Dranes dhe Ages nga Shqipëria por kërkesa e saj ishte refuzuar. Më 12 korrik 1972 në moshën 83 vjeçare, në Tiranë i vdes e ëma, Drane Bernaj Bojaxhiu. Në varrimin e nënës nuk mori pjesë, sepse regjimi komunist antinjerëzor dhe diktatori, E. Hoxha, refuzoi. Edhe motra Age, vdes një vit më vonë në Tiranë.

Nëna Drane dhe motra e nënës Tereze Age Bojaxhiu Tiranë (1968) Varri i motrës së Nënës Tereze, Age Bojaxhiut në Tiranë

— 139


India edhe një herë tregoi se sa e çmon punën dhe dashurinë e Nënës Tereze për popullsinë e varfër indiane kur ia dorëzoi shpërblimin Jawaharlal Nehru. Këtë dhuratë ia dorëzoi presidenti Giri më 15 nëntor 1972, duke e quajtur Nënën Tereze Koruna-dut Engjëll i mëshirës.

Ky shpërblim nuk po më jepet mua, por mijëra atyre që kanë nevojë për dashuri. Ju faleminderit që më zgjodhët mua ta marr këtë shpërblim në emër të tyre dhe t'u përcjell porositë tuaja të përkujdesit dhe të dashurisë. Të varfërit janë të mahnitshëm, ata janë të mëdhenj...

Popullariteti i Nënës Tereze u bë aq i madh në botë sa që më 29 dhjetor 1975, javorja amerikane Time ia kushton Nënës Tereze kopertinën me titull: "Shenjtërit e gjallë: Lajmëtarët e dashurisë dhe të shpresës".

Edhe Javorja franceze Paris Match e datës 17 janar 1976, ia kushton Nënës Tereze kopertinën dhe shkresën me titull: "Ka ende shenjtër: Nëna Tereze në mes të gjallëve dhe të vdekurve të Kalkutës...” 13 qershor 1976, në festën e Zemrës së Krishtit, Nëna Tereze vendosi të themelojë edhe një degë të motrave të veta: Misionaret Kontemplative të Dashurisë.

Nëna Tereze vizitoi Qendrën Katolike Shqiptare në New York, 25 Korrik, 1976. Në foto Dom Zef Oroshi, At Artur Liolin, Dom Rrok Mirdita.

140 —


Më 31 dhjetor 1976 Nëna Tereze kishte 66 shtëpi në Indi, 34 shtëpi jashtë Indisë nëpër vende të ndryshme. Numri i motrave, postullanteve, aspirantëve dhe bashkëpunëtoreve ishte 1343, ndërsa numri i përgjithshëm i spitaleve, shkollave, strehimoreve, dispanserive, qendrave për asistencë në Indi dhe jashtë saj ishte 729. Numri i fëmijëve, jetimëve, të gërbulurve, të vdekurve dhe përgjithësisht pacientët tjerë të shërbyer mbërrijnë në 6.544.864.

Fjalët e Nënes Tereze

Më 1 mars 1978, Nëna Tereze pranoi shpërblimin "Balzan" nga duart e kryetarit të Italisë, Sandro Pertini. Ky shpërblim jepet për humanitet, paqe dhe vëllazërim mes të popujve.

10 dhjetor 1979 Më 10 dhjetor 1979 në Oslo, Norvegji, mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nëna Tereze ishte shqiptare. Pas pranimit të çmimit Nëna Tereze tha:

E marr çmimin Nobel për Paqe në emër të të varfërve. Jezusi ka thënë: “Unë kam uri, unë kam etje, nuk kam gjë për të ngrënë, nuk kam shtëpi”. Duke e shërbyer të varfërin, unë i shërbej Atij...

Në Oslo për ta shoqëruar dhe për të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel Nënës Tereze, ishin edhe një grup i vogël shqiptarësh si Imzot Nikë Prela, vëllau i nënës Tereze Lazëri me të bijën Age Bojaxhiu dhe bashkëpuntori dhe biografi i Nënës Tereze Dom Lush Gjergji. — 141


Pas marrjes së çmimit Nobel për Paqe, Papa Gjon Pali II e pret Nënën Tereze dhe vëllaun e saj Lazër Bojaxhiun (në mes) në audiencë private, Romë 1979.

Pas marrjes së çmimit Nobel për paqe, Nënës Tereze iu hapën mundësitë për veprimtari edhe më të mëdha. Kështu, gjatë periudhës pesëvjeçare, qendrat e saj u rritën me të madhe. Filloi të hapë qendrat e veta për të mirën e të varfërve dhe njerëzve të braktisur në Spanjë, Belgjikë, Etiopi, Francë, Guinenë e Re dhe Argjentinë. Më 25 janar 1980, Nëna Tereze shpallet Qytetare nderi e Shkupit. Po të njëjtin vit në Taronto mori Dhuratën e Paqes 1983.

Më 20 tetor 1985, Nëna Tereze zgjedhet për herë të tretë udhëheqëse e Misionarëve të Dashurisë

Mbretëresha e Anglisë, Elizabeta II, nderon Nënën Tereze me Urdhërin e Nderit më 1983.

Medalja e Artë të Kongresit Amerikan

142 —

Më 21 qershor 1985 - Nga kryetari i SHBA-ve Ronald Regan, mori shpërblimin Medalja e Lirisë.


Më 26 tetor 1985, Sekretari Gjeneral i OKB-së Xavier Pérez de Cuéllar fton Nënën Tereze t’i drejtohet Asamblesë gjenerale. Sekretari i përgjithshëm e prezentoi Nënën Tereze me këto fjalë: "Ua prezentoj gruan më të fortë të botës". Duke iu drejtuar të pranishmëve, Nëna Tereze, ndër të tjera, tha:

Fjalët e Nënes Tereze

Ky është vend ku popujt bashkohen për të biseduar për paqe, ta lusim Zotin për paqe... Jemi bashkuar për ta falënderuar Zotin me rastin e dyzetvjetorit të punës së mirë të Kombeve të Bashkuara për të mirën e njerëzimit. Raca, feja dhe kombi nuk mund të na ndajnë: të gjithë jemi bij të Zotit. Ishte kënaqësi e veçantë për Nënën Tereze kur më 13 dhjetor 1985 hapi shtëpinë në Manhattan për të sëmurët nga AIDS-i. Shtëpia u quajt Gift of Love (Dhurata e Dashurisë). Më vonë hapi edhe shtëpi tjera në SHBA për të sëmurët nga AIDS-i. Në Janar të vitit 1986, Nëna Tereze shkoi për herë të parë në Kinë dhe u takua me kryetarin Deng dhe më vonë edhe në Kinë dërgoi motrat e saj. Më 24 gusht 1987, Nëna Tereze shkoi në Moskë, për të marrë çmimin Medalja e Paqes në të cilen thuhet: "në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë për afirmimin e paqes dhe të miqësisë ndërmjet popujve". Pas kthimit të saj nga ish-Bashkimi Sovjetik mori miratimin për hapjen e qendrës edhe në këtë shtet.

Dom Lush Gjergji duke ia dhuruar Nënës Tereze librin “Lule për Nënën”, Pejë 1982.

Më 21 maj 1988, realizohet dëshira e Nënës Tereze të hapte shtëpinë brenda mureve të Vatikanit. Shtëpia u quajt Dono di Maria - Dhurata e Marisë. — 143


Nëna Tereze më 17 Qershor 1988, në kishën St. Rita në Bronx, pati një takim të përzemërt me komunitetin shqiptar të New Yorkut. Në takim ishin Dom Rrok Mirdita dhe Dom Pjetër Popaj dhe shumë bashatdhetarë që kishin ardhur për t’u përshëndetur me Nënën Tereze. Në një intervistë dhënë gazetarit të Zërit të Amerikës Z. Gjekë Gjonlekaj, ajo bëri një përshendetje në gjuhën shqipe, si dhe e bëri një lutje në gjuhën shqipe të cilën e kishte mësuar qysh kur ishte fëmijë në Shkup.

Nëna Tereze duke folur shqip

17 Qershor 1988

Dëgjojeni Nënën Tereze në faqen e facebook-ut, duke folur në gjuhën shqipe si dhe lutjen “Puna e Pendimit” në shqip.

Mother Teresa speaks Albanian

144 —


Vizita e parë e nënës tereze në shqipëri

Në Gusht të vitit 1989, më në fund, pas shumë vite kërkesash insistuese personale dhe zyrtare, më në fund, Nëna Tereze realizoi deshirën e madhe, si u shpreh para largimit: "vizitova vendin tim të dashur Shqipërinë dhe takova popullin tim".. Nëna Tereze gjatë vizitës në Shqipëri shoqërohej nga motrat misonare, mes tyre motra Agnese nga Kosova dhe gazetarja kanadezo-amerikane Jannette Petriè. Opinioni zyrtar komunist i kohës, vizitën e Nënës Tereze nue Shqipëri e konsideroi "vizitë private", dhe mediat e kontrolluara u paraqitën vetëm takimet me zyrtarët e regjimit, vizitën në varrezat e dëshmorëve dhe shkurt vizitën në varrin e nënës Drane dhe motrës Age, në varrezat e Tiranës si dhe vizitën ne spitalin onkologjik.

Fjalët e Nënes Tereze

Shqipëria nuk është ëndërr. Njerëzit e mi kanë vdekur atje, dhe unë kam marrë Krishtin për dore dhe t’ia çoj fisit tim që të ringremë tempujt e fesë me misionaret, që u dergjen burgjeve; t’i përkedhel gurët dhe të lutem në gjuhën time shqipe.

Nënën Tereze e priti në takim presidenti Ramiz Alia, i cili e gënjeu, duke i thënë se në Shqipëri nuk kishte të varfër e as të braktisur dhe kësisoj i mohoi kërkesën, për të hapur shtëpinë e misionit të bamirësisënë Shqipëri. Ajo i fali pushtetarët shqiptarë për padrejtesitë që i kishin bërë, i fali dhe i ftoi që të shikojnë përpara, drejt një të ardhme të re, madje pranoi edhe ftesën të hante darkë me gruan e diktatorit Hoxha, Nexhmije Hoxhën, e cila gjithashtu e gënjeu se në Shqipëri nuk kishte të varfër.

— 145


Në prill të vitit 1990, për shkaqe shëndetësore Nëna Tereze ia paraqet Papës dorëheqjen nga udhëheqja e Misionareve të Dashurisë, por Papa nuk e pranoi dorëheqjen se saj, duke e inkurajuar ate për të vazhduar misionin e saj në drejtimin e Misionareve të Dashurisë.

Një letër përshëndetëse e Nënës Tereze me 3 maj 1990, drejtuar Imzot Nik Prelës në shenjë inkurajimi për iniciativën e rinisë Kosovare për pajtimin e gjaqeve. 146 —


Vizita historike e Papës Gjon Pali II në Shqipëri, ku mori pjesë edhe Nëna Tereze. Presidenti i Shqipërisë z. Sali Berisha, duke u dëshiruar mirëseardhje. Rinas, 25 Prill, 1993. Më 1996 Nëna Tereze shpallet Qytetare Nderi i Kosovës, dekoratë që u themelua nga Presidenti i Republikës së Kosovës Ibrahim Rugova, më 27 nëntor 1996.

Më 1996 - Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha i akordoi Nënës Tereze Urdhërin e Artë “Nderi i Kombit” me këtë arsye: "Shqiptares më të shquar të të gjitha kohërave, shenjëtores së gjallë Nënës Tereze që me mirësinë njerëzore dhe fisnikërinë e shpirtit shqiptar pushtoi zemrën e mbarë njerëzimit, trimëroi mbi dhembjen e tij; gruas shqiptare, që është simbol i amshuar dhe tokësor i forcës hyjnore të dashurisë së njeriut për njeriun, të dhimbshurisë, për atë që vuan dhe që ka nevojë për ndihmë, të dashurisë së Zotit për lirinë, në shenjë mirënjohjeje të thellë që kombi shqiptar ushqen për misionaren e Zotit, simbolin e mirësisë dhe të shpresës, të nderit dhe të krenarisë së tij".

Nëna Tereze në Shkodër, në mes të pranishmëve edhe ish kongresisti amerikan me prejardhje nga arbëreshët e Italisë Joseph Dioguardi

— 147


Më 9 qershor 1997, Nëna Tereze mori Medaljen e Artë të Kongresit Amerikan, medalja më të lartë që jep Kongresi SHBA. Kjo medalje iu nda Nënës Tereze në praninë e shumë anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan. Në gusht të vitit 1997, sipas një ankete të cilën e realizoi Instituti Infratest Berk në Gjermani, Spanjë, Francë, Britani të Madhe, Holandë dhe Suedi , Nëna Tereze u shpall personalitet i shekullit XX.

Në vitin 1997 Nëna Tereze kishte 4000 motra, të pranishme në 610 shtëpi misionare, të përhapura në 123 vende të botës.

5 shtator 1997 - Nëna Tereze ndërroi jetë.

5 Shtator 1997

19 tetor 2003

Më 13 shtator 1997, Nëna Tereze u varos me nderimet më të larta që organizoi qeveria indiane. Në varrimin e saj morën pjesë shumë burra shtetesh, njerëz me famë dhe ndikim në botë.

Më 19 Tetor 2003 në Romë, Papa Gjon Pali II shpalli Nënën Tereze, "të lumtur", në prani të afro gjysmë milion njerëzve nga mbarë bota.

148 —


DY MREKULLITË QË BËNË NËNËN TEREZE TË SHPALLET SHENJTËRESHË

5 Shtator 1998 Monica Basra me fotografinë e Nënës Tereze pas mrekullisë së shërimit të saj nga sëmundja e pashërueshme

5 Shtator 1998

MREKULLIA E PARË:

Në vitin 2002 Papa Gjon Pali II e njohu shërimin e një gruaje indiane si një mrekulli që ishte e mjaftueshme për lumturimin e Nënës Tereze. Shërimi ka ndodhur një vit pas vdekjes së Nënës Tereze. Një grua jo katolike nga India me emrin Monica Basra kishte një tumor të madh në stomak. Familja e saj e kishin sjellur tek shtëpia e Misionareve të Bamirësisë të cilat fillimisht e kishin kërkuar ndihmën e mjekëve, por mjekët kishin deklaruar se nuk kishte shërim për të. Në ditën e përvjetorit të vdekjes së Nënës Tereze më 5 shtator 1998, dy murgesha morën një medalion me figurën e Nënës Tereze i cili kishte qëndruar mbi trupin e pajetë të Nënës Tereze gjat funeralit, dhe ia vunë mbi stomakun e Monica Basra. Ajo të nesërmen u ngrit në këmbë e shëruar plotësisht. Më vonë ky shërim u njoh si mrekulli. Më 19 tetor të vitit 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli Nënën Tereze të Lumnuar. Nga kjo ditë Nëna Tereze u quajt “E Lume” dhe festa e saj kremtohet në vendet sipas rregullave të caktuara nga e drejta kanonike, çdo vit, në ditën e lindjes së saj për qiell, më 5 shtator.

MREKULLIA E DYTË: Mrekullia e dytë ka ndodhur më 9 dhjetor 2008, dhe ka të bëjë me një inxhinier brazilian nga San Paolo. I sëmuri ishte në gjendje kome për shkak të një sëmundjeje (tumor) të trurit, dhe u dërgua në sallën e operacionit për një ndërhyrje kirurgjikale, gati-gati të pashpresë. Gruaja e tij lutej në kapelën e spitalit, së bashku me një meshtar e disa anëtarë të familjes. Ajo një natë më parë ishte lutur me gjithë zemër Nënës Tereze: “Nëna Tereze, mjekojeni tim shoq”. Gjithçka ndodhi në pak minuta. Kirurgu, që kishte dalë pak më parë nga salla e operacionit, duke e shtyrë për pak çaste ndërhyrjen, u rikthye përsëri dhe çuditërisht, e gjeti të sëmurin ndenjur mbi shtrat, të zgjuar e plotësisht të vetëdijshëm. I mrekulluar, e dëgjoi t’i thotë: “Ç’bëj unë këtu?”. Shërimi, që u vërtetua më pas, ishte i menjëhershëm, ndërsa abseset e shumta të trurit, me hidrocefale obstruktive, ishin zhdukur krejtësisht, në mënyrë fare të pashpjegueshme, sipas ekspertëve të mjekësisë. Sipas Vatikanit, mrekullia që i atribohet Nënës Tereze, është një nga rastet e rralla të mrekullisë së “shkallës së parë”, dhe më 17 dhjetor 2015, Papa Françesku firmosi dekretin për njohjen e mrekullisë së dytë të Nënës Tereze që ishte e mjaftueshme të shpallet Shenjtëreshë e Kishës Katolike më 4 shtator 2016.

— 149


Nëna Tereze në pullat postale të shteteve të botës

150 —


Nëna Tereze në pullat postale të shteteve të botës

— 151


26 Gusht 2005

Më 26 Gusht 2005 në Prishtinë vihet gurthemeli për ndërtimin e Katedrales së Nënës Tereze.

Gurthemeli i Katedrales u bë me rastin e 95-vjetorit të lindjes së Nënës Tereze nga ana e Presidentit Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik. Me këtë rast Presidenti Rugova tha:

Sot është një ditë e madhe për kryeqytetin dhe për gjithë Kosovën, sepse po e bekojmë gurin e themelit të një tempulli të shenjtë, që i kushtohet Nënës së dashur shqiptare dhe Nënës së Njerëzimit – të lumturës Nëna Tereze – asaj që lartësoi nderin e Kosovës dhe të shqiptarëve në gjithë planetin duke i afirmuar vlerat tona dhe duke ndihmuar gjithë njerëzimin.

Më 5 Shtator 2010 në përvjetorin e vdekjes së Nënës Tereze (festë që tani festohet çdo vit) u kremtua mesha e parë në Katedralen me emrin e saj, që pritet të shugurohet vitin e ardhshëm me 2017.

Të dhënat për botimin e këtij inserti janë marrë nga: “Nëna e Dashurisë” nga Don Lush Gjergji, “Dashuri për të gjithë” nga Don Lush Gjergji, “Lule për Nënën” nga Don Lush Gjergji, “Come Be My Light” nga Brian Kolodiejchuk, “Come and See” nga Linda Schaefer, “Who Was Mother Teresa” nga Jim Gigliotti, Vatican.va, catholic.org, wikipedia.org, biography.com, nobelprize.org, britannica.com.

152 —


Issuu converts static files into: digital portfolios, online yearbooks, online catalogs, digital photo albums and more. Sign up and create your flipbook.